Ambasadori Marcel Peško përballë gazetarëve në Bujanoc prezanton tre prioritetet e tij për shqiptarët

Bujanoc – Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Marcel Peško zhvilloi sot një takim me gazetarë nga Lugina e Preshevës dhe rajoni i Pçinjës, ku morën pjesë përfaqësues të mediave nga Bujanoci, Presheva, Vranja dhe Leskovci.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për çështje politike dhe shoqërore që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në jug të Serbisë, me theks të veçantë në mungesën e vullnetit të Qeverisë së Serbisë për zgjidhjen e problemeve të kahershme të komunitetit shqiptar, si dhe presionet që, sipas pjesëmarrësve, vijnë nga politika shtetërore.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua situatës së mediave dhe gazetarëve në këtë rajon dhe në Serbi në përgjithësi, duke u ngritur shqetësime për kushtet e punës, lirinë e shprehjes dhe qasjen e barabartë në informim.

Në takim u kritikua gjithashtu keqpërdorimi i konkurseve publike nga ministri të ndryshme, ku – sipas gazetarëve – fonde që formalisht ndahen në emër të shqiptarëve përfundojnë te organizata fantome ose te subjekte që nuk kanë lidhje reale me Luginën e Preshevës.

U theksua edhe hendeku i thellë ndërmjet politikanëve shqiptarë në nivel lokal dhe zyrtarëve shtetërorë, gjë që vështirëson dialogun dhe zgjidhjen e problemeve konkrete në terren. Në këtë kontekst, u konstatua se Presheva dhe Bujanoci mund të mos jenë aktualisht pjesë e agjendës prioritare të Qeverisë së Serbisë, për shkak të situatës së përgjithshme politike në vend.

Ambasadori i OSBE-së paraqiti tri prioritetet kryesore të mandatit të tij: inkuadrimin e shqiptarëve në policinë lokale, çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, si dhe njohjen e diplomave të Kosovës.

Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të adresuar drejtpërdrejt shqetësimet e gazetarëve dhe për të sjellë në vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare realitetin me të cilin përballen shqiptarët dhe mediat në jug të Serbisë./Spektri