Arrestohet edhe një person tjetër për sulm ndaj gazetarëve në veri

Edhe një tjetër person është arrestuar sot për sulm ndaj gazetarëve në veri.

Telegrafi mëson se Policia e Kosovës ka arritur të arrestoi personin i cili sulmoi të premten në Leposaviq, kameramanin e RTK-së, Bardh Bekteshi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte njoftuar se kameramani kishte pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

“Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup. Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”, thuhej në njoftimin e AGK-së.

Të premten e 16 qershorit nga sulmet në veri u lënduan nëntë gazetarë. Policia njoftoi se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

“Po ashtu, në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, kishte njoftuar policia.