BE-ja takon ndaras Kurtin e Vuçiqin: A do të ketë takim trepalësh?

Kryediplomati i BE-së, Josep Borell ka pritur ndaras në takim kryeministrin Albin Kurti në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje për situatën në veri. Ndaras, diplomati spanjoll e ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në mëngjes tha se nuk pranon të takohet me Kurtin. Por, akoma nuk dihet nëse BE-ja do të arrijë t’ia ndërrojë qëndrimin Vuçiqin për takim trepalësh.

Vazhdimi i krizës në veri i ka dërguar në Bruksel pasditen e së enjtes, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin.

Por, e paqartë mbetet ende nëse Bashkimi Evropian do të arrijë të organizojë takim trepalësh me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, pasi ky i fundit refuzoi një gjë të tillë.

Prezencën e dy liderëve në Bruksel, BE-ja e konfirmoi vetëm gjatë mesditës përmes zëdhënëses Nabila Massrali.

Pasdite, ndërmjetësit Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht takuan ndaras kryeministrin Kurti, dhe në të njëjtin format edhe presidentin serb Vuçiq.

Nga të dyja palët, BE-ja ka kërkuar konstruktivitet për uljen e tensioneve.

Por, njohës të procesit të dialogut e vlerësojnë goxha të vështirë deeskalimin pa një takim sy më sy ndërmjet liderëve.

“Vetë procedura pastaj e delegimit të pozicioneve, delegimit të porosisë, poshtu delegimi i kompromiseve që njëra palë mund të bëjë ose tjetra. Si proces teknik merr kohë fillimisht, së dyti nuk është njëjtë të negociohet vetëm me lehtësuesin përderisa një negocim kokë më kokë do të kishte më shumë mundësi të ketë një zgjidhje efektive”, ka deklaruar Arbër Fetahu nga GLPS.

Në anën tjetër, Abit Hoxha thotë se Kosova duhet t’i pranojë tri kërkesat të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri.

“Kosova dhe Serbia përveç që shihen me një perspektivë tjetër, edhe pritjet për këto dy shtete janë të ndryshme. Serbia nuk ka aspiratë për integrime euro-atlantike, përveç BE-së. Ndërsa Kosova ka aspiratë dhe është konsumuese e sigurisë prej NATO-s”, ka deklaruar ai.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për takim trepalësh, por diskutimet me të i ka refuzuar Vuçiq, i cili fillimisht ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar së fundmi, të cilët janë të dyshuar për sulme ndaj gazetarëve.