BE: S’dalim me përfundime bazuar në një video, po presim hetim të plotë të sulmit terrorist të së dielës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka folur për sulmin terrorist të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur serb u përlesh me Policinë e Kosovës dhe si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë për media, Stano ka thënë se BE-ja po pret që të përfundohen gjitha hetimet në lidhje me sulmin e të dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, para se të dilet me ndonjë përfundim apo me masa.

Stano ka thënë se të dielën në Kosovë është kryer sulm terrorist.

“Kemi pasur ndryshim shumë të madh të rëndësishëm, pas sulmeve terroriste të së dielës në veri të Kosovës. Për ne është me rëndësi që të bëhet hetim i plotë, të përfundohet hetimi. Kur kemi pamje të plotë e të qartë nga hetimi se çfarë ka ndodhur, kush ishte prapa kësaj, kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e nevojshme. Në këtë moment është me rëndësi të qartësohen gjitha faktet”, ka thënë Stano.

I pyetur për videon e publikuar të martën nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq në Banjskë duke drejtuar një grup të personave të uniformuar e të armatosur, Stano ka thënë se “BE-ja nuk nxiton me vendime bazuar në një video”.

“Ne nuk nxitojmë të dalim me përfundime bazuar në një video apo në diçka që është postuar aty këtu. Hetimi duhet bërë plotësisht, që BE-ja të ketë pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është fajtor”, ka thënë Stano.

Sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, ai ka thënë se s’ka asnjë ndryshim nga kërkesat që kanë pasur shtetet anëtare të BE-së.

“Kemi pasur situatë ku është kryer sulm terrorist në veri të Kosovës. Ne kemi policinë e Kosovës që po heton, kemi EULEX-in që po e mbështet atë. Duhet të shohim këto hetime, e më pas shtetet anëtare do të vendosin”, ka thënë Stano.