Nga Capitol Hill në Washington, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës u dëgjua si kurrë më parë, këtë herë si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi.
Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Rezoluta, e mbështetur në mënyrë bipartizane nga Kryetari Brian Mast dhe Nënkryetari Gregory Meeks, tashmë ka marrë bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi.
Ajo kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në këtë rajon.
Bislimi e cilësoi këtë ngjarje si “ditë të bardhë për shqiptarët dhe një sinjal të qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund.”