Braçe shfaq ambicien për të garuar për Tiranën në 2027: Do ta vlerësoj kandidimin

Senatori i socialistëve Erion Braçe nuk e ka fshehur ambicien për të qenë ai kandidati i socialistëve për Tiranën në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027.

Kjo ambicie është shprehur me kujdes nga Erion Braçe gjatë një takimi me strukturat e njësisë 5, ku ai u zgjodh deputet pas largimit nga qarku Fier.

Dy burime nga kjo mbledhje i pohuan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu atë që mund të konsiderohet si sinjali i parë nga Braçe për Edi Ramën.

Të njëjtat burime hedhin poshtë raportimet se Braçe i kishte vendosur ultimatum Ramës se, nëse nuk zgjidhet ai për Tiranën, do të garojë i pavarur.

Burime pranë Erion Braçes në njësinë 5, të kontaktuara nga Top Channel, thanë se “a do ta besonte kush nëse Erion Braçe do të thoshte se jam i pavarur në betejën për Tiranën?”

Erion Braçe në mbledhjen e PS-së, njësia 5

Të njëjtat burime thanë se kjo është nonsens, kur dihet se pas emrit Erion Braçe ka vetëm një prapashtesë, Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Erion Braçe është një prej atyre socialistëve, si i tillë, ato që i konsideron si gjërat e shtëpisë (ato që diskutohen në PS dhe Njësinë 5) mbeten gjërat e shtëpisë”, u shpreh i njëjti burim.

Ndërkohë që Erion Braçe i ka ruajtur dhe ruan me fanatizëm “gjërat e shtëpisë”, kolegët e tij brenda partisë u kujdesën që ambicien e kandidimit ta spiunonin me shpejtësi.

Përpara zgjedhjeve të 11 majit, kur Belinda Balluku nuk e përfshiu Erion Braçen në skuadrën garuese të Fierit, u mësua për një hatërmbetje të fortë nga Braçe me Ramën, i cili e pozicionoi në skuadrën e Tiranës.

Debatet Braçe-Rama u mësuan prej atyre që kishin dijeni, por kur Erion Braçe, i cili e nisi karrierën e deputetit në Berat, u pyet për këtë privatisht, deklaroi:

“Epo ndaj s’jam si ata unë. Se kam bërë kurrë të flas brenda e t’i nxjerr jashtë”.

Gjithsesi, vlerësimi i mundësisë nga Erion Braçe për të qenë ai pasuesi i Erion Veliaj mbetet një zhvillim interesant brenda PS.