Çfarë përmban projektligji H.R. 6411 i Kongresit amerikan për Luginën e Preshevës

Teksti zyrtar i projektligjit amerikan H.R. 6411, i cili parasheh hartimin e një raporti mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi me fokus te shqiptarët e Luginës së Preshevës, është bërë publik edhe nga Partia për Veprim Demokratik (PVD). Dokumenti obligon Sekretarin amerikan të Shtetit që brenda 180 ditëve të raportojë mbi një sërë praktikash institucionale që lidhen me të drejtat civile, gjuhësore, arsimore dhe ekonomike të shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.

Çfarë përmban projektligji H.R. 6411 i Kongresit amerikan për Luginën e Preshevës

Dokumenti zyrtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i paraqitur si projektligj me numër H.R. 6411, mban titullin:

“Për të udhëzuar Sekretarin e Shtetit që të përgatisë një raport mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi.”

Projektligji është paraqitur më 3 dhjetor 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve nga kongresisti Keith Self dhe i është referuar Komisionit për Punë të Jashtme. Teksti i plotë i dokumentit është publikuar për opinionin nga Partia për Veprim Demokratik, e cila ka bërë të ditur përmbajtjen e projektligjit dhe pikat që përfshihen në të.

Titulli zyrtar i ligjit

Në Seksionin 1 të dokumentit përcaktohet se ligji mund të quhet:

“Preshevo Valley Discrimination Assessment Act” (Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës).

Detyrimi kryesor

Sipas Seksionit 2, projektligji përcakton se jo më vonë se 180 ditë pas hyrjes në fuqi, Sekretari amerikan i Shtetit duhet të përgatisë dhe t’i dorëzojë Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit një raport mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi.

Çështjet që duhet të përfshihen në raport

Dokumenti liston 13 çështje konkrete, të cilat raporti duhet t’i vlerësojë, përfshirë:

  • çaktivizimin e vendbanimeve të regjistruara (“pasivizimin” e adresave) të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës;
  • ndikimin e kësaj praktike në dokumente personale dhe të drejtën e votës;
  • përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike;
  • njohjen e diplomave të fituara në Kosovë;
  • përdorimin e gjuhës shqipe në institucione dhe dokumente zyrtare;
  • furnizimin me tekste shkollore në gjuhën shqipe;
  • ndarjen e fondeve buxhetore për komunat me shumicë shqiptare;
  • kufizimin e simboleve etnike;
  • veprimet e policisë dhe organeve të rendit ndaj shqiptarëve etnikë;
  • mbështetjen për media dhe aktivitete kulturore në gjuhën shqipe;
  • shqyrtimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak;
  • si dhe masat që mund të ndikojnë në kushtet ekonomike dhe jetesën në Luginën e Preshevës.