Deri në 20 mijë euro mbështetje shtetërore për ndërtim të shtëpisë ose blerje banese!

Qeveria e Serbisë ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për vitin 2026, të destinuara për mbështetje pakthym për familjet që, pas lindjes së fëmijës, planifikojnë ndërtimin e shtëpisë, blerjen e banesës ose pjesëmarrjen në blerje përmes kredive banesore. Shuma maksimale e mbështetjes arrin deri në 20.000 euro.

E drejta për mjete financiare realizohet në disa forma:

  • Ndërtimi i shtëpisë në zona të shpallura si të pazhvilluara:
    Mbështetje deri në 50% të vlerës së punimeve ndërtimore, bazuar në dokumentacion teknik të verifikuar nga projektuesi përgjegjës.

  • Ndërtimi i shtëpisë në komunat e tjera:
    Mbështetje deri në 20% të vlerës së punimeve ndërtimore.

  • Blerja e shtëpisë ose banesës:
    Mbështetje deri në 20% të vlerës së pasurisë së paluajtshme, sipas vlerësimit të organit tatimor kompetent, por jo më shumë se 20% e çmimit të blerjes të përcaktuar në kontratë ose parakontratë.

  • Pjesëmarrja në blerje përmes kredisë banesore:
    Mbështetje deri në 20% të vlerës së pasurisë së paluajtshme, mbi bazën e së cilës aprovohet kredia, gjithashtu e kufizuar në 20% të çmimit të shitjes.

Ky program mund të shfrytëzohet edhe nga qytetarët e Komunave të Bujanocit, Preshevës dhe të Medvegjës, pasi këto komuna klasifikohen si zona të pazhvilluara. Kjo nënkupton se familjet e reja shqiptare, pas lindjes së fëmijës, mund të përfitojnë mbështetje, veçanërisht për ndërtimin e shtëpive.

Në një kohë të sfidave demografike dhe emigrimit, kjo masë shihet si një mundësi konkrete për mbështetjen e familjeve të reja, për qëndrimin në vendlindje dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës në Luginë.

Qytetarët e interesuar pritet që detajet procedurale dhe afatet e aplikimit t’i marrin përmes institucioneve përkatëse dhe vetëqeverisjeve lokale./Spektri