Faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor kanë befasuar një numër të madh qytetarësh në Luginën e Preshevës dhe në mbarë Serbinë, raporton Spektri.
Disa konsumatorë kanë marrë fatura dukshëm më të larta krahasuar me muajin nëntor, edhe pse pohojnë se nuk kanë rritur shpenzimin e rrymës, ndërsa të tjerë kanë pranuar fatura jozakonisht të ulëta, gjë që ka shkaktuar shqetësim për një përllogaritje më të rëndë në muajt në vijim.
Sipas ankesave të qytetarëve, në disa raste faturat janë rritur deri në tri herë. Ka edhe qytetarë që theksojnë se gjatë dhjetorit nuk kanë qëndruar në banesat apo shtëpitë e tyre, por megjithatë kanë pranuar fatura të larta. Në anën tjetër, disa që ngrohen me energji elektrike kanë marrë fatura më të ulëta se zakonisht dhe shprehin frikën se në përllogaritjen e ardhshme mund të futen në të ashtuquajturën “zonë e kuqe”.
Ankesa të tilla kanë arritur edhe te shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve në Serbi, në veçanti te Shoqata “Efektiva”.
Sipas Shoqatës “Efektiva”, arsyet për faturat e rritura janë të shumta. Ndër to përmenden:
-
rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 tetori për 6.6 për qind,
-
ulja e pragut për hyrje në zonën më të shtrenjtë, nga 1.600 në 1.200 kilovat-orë,
-
si dhe dyshimet e qytetarëve për lexime të pasakta të njehsorëve.
“Numri më i madh i ankesave lidhet me leximin e gabuar të njehsorëve. Qytetarët i udhëzojmë që të paraqesin ankesa dhe të dorëzojnë dëshmi, veçanërisht fotografi të njehsorit. Në këto raste, fatura duhet të korrigjohet”, janë shprehur në Efektivai.
Si të paraqisni ankesë në EPS?
Nga Elektroekonomia e Serbisë (EPS) bëjnë të ditur se çdo konsumator që dyshon në saktësinë e faturës ka të drejtë të paraqesë ankesë. Ankesat mund të dorëzohen:
-
përmes emailit: reklamacije@eps.rs
-
përmes numrit pa pagesë: 0800 111 202
-
personalisht, në sportelet e EPS-it.
Shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve këshillojnë qytetarët që para paraqitjes së ankesës:
-
të krahasojnë gjendjen reale në njehsor me të dhënat e shënuara në faturë,
-
të sigurojnë fotografi të njehsorit si provë,
-
të kontrollojnë zonat e shpenzimit dhe çmimin e aplikuar.
Sipas rregullave në fuqi, leximin e njehsorëve e kryen Elektrodistribucioni i Serbisë (EDS), ndërsa njehsorët inteligjentë lexohen në mënyrë elektronike. Rreth 600 mijë konsumatorë raportojnë vetë gjendjen mujore të shpenzimit.
Nga EDS deklarojnë se nuk janë evidentuar gabime sistemore dhe se çdo rast individual shqyrtohet veçmas. Megjithatë, qytetarët shprehin dyshime se për shkak të kushteve të vështira gjatë dimrit, disa përllogaritje janë bërë mbi baza vlerësimi, e jo sipas gjendjes reale.
Ekspertët u rekomandojnë qytetarëve që të kontrollojnë rregullisht njehsorët, të ruajnë faturat dhe të reagojnë me kohë në rast të parregullsive. Nëse konstatohet gabim, ligji obligon EPS-in që të bëjë korrigjimin e faturës./Spektri