Qumështi i lirë për prodhuesit, i shtrenjtë për qytetarët: Pse çmimet në Luginë mbeten të larta?

Tregu i qumështit në Serbi, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, po përballet me një situatë paradoksale: prodhuesit vendorë kanë teprica të qumështit që nuk arrijnë t’i shesin, ndërsa konsumatorët në markete vazhdojnë të paguajnë çmime të larta për këtë produkt bazë, raporton Spektri.

Sipas të dhënave nga tregu, çmimi me të cilin qumështi blihet nga prodhuesit është ndjeshëm më i ulët se çmimi me pakicë. Diferenca mes çmimit të blerjes dhe atij në dyqane arrin deri në mbi 100 dinarë për litër, çka rëndon drejtpërdrejt mbi buxhetin e qytetarëve.

Tepricat në treg janë ndikuar nga rritja e ofertës së qumështit në nivel evropian, e cila është reflektuar edhe në Serbi. Si pasojë, përpunuesit kanë ulur blerjen nga prodhuesit vendorë, të cilët, në mungesë të alternativave për shitje ose përpunim, përballen me humbje të drejtpërdrejta.

Në të njëjtën kohë, çmimet për konsumatorët nuk kanë shënuar ulje. Përkundrazi, ato kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, pavarësisht tepricave dhe rënies së çmimit të blerjes nga prodhuesit. Kjo krijon presion të dyfishtë: nga njëra anë mbi fermerët e vegjël, e nga ana tjetër mbi qytetarët që blejnë produkte bazë.

Një nga arsyet kryesore për këtë situatë lidhet me strukturën e tregut, ku rolin vendimtar e kanë përpunuesit dhe tregtarët e mëdhenj. Në kushte të një konkurrence të kufizuar, çmimet për konsumatorët përcaktohen nga një numër i vogël aktorësh, ndërsa presioni i tepricave dhe i rënies së çmimeve bartet kryesisht mbi prodhuesit primarë.

Masat shtetërore për kufizimin e marzhave nuk kanë dhënë rezultat të qëndrueshëm, pasi ndikimi i tyre përfundon te prodhuesit e vegjël përmes uljes së çmimeve të blerjes. Nga ana tjetër, ulja e prodhimit nuk shihet si zgjidhje, sepse rrit kostot dhe e bën prodhimin edhe më pak të qëndrueshëm.

Si zgjidhje afatgjatë përmendet nevoja për një lidhje më të fortë mes prodhuesve vendorë, përpunuesve dhe tregtarëve, ku prodhuesit do të kishin siguri më të madhe për çmimin dhe plasmanin e produkteve të tyre. Megjithatë, në kushtet aktuale të tregut, një riorganizim i tillë mbetet i vështirë për t’u realizuar.

Për qytetarët e Luginës, kjo situatë nënkupton vazhdim të çmimeve të larta për qumështin dhe produktet bazë, ndërsa për prodhuesit vendorë, pasiguri dhe presion të vazhdueshëm ekonomik./Spektri