Ferma solare nga Kosova që u bë lajm botëror!

Kur punonjësit në një fermë me energji solare në Kosovë lodheshin duke humbur energjinë e vet për të kositur barin përreth paneleve diellore, kanë dalë me një ide “më të gjelbër” dhe më efikase. Bëhet fjalë për një tufë delesh. E pikërisht kjo çështje ka bërë që ferma në Roganë të Kamenicës të bëhet lajm botëror.

Agjencia “Reuters” ka shkruar të enjten se më shumë se 100 dele dhe disa dhi kullosin dy herë në javë përreth fermës në të cilën janë të vendosura mbi 12 mijë panele fotovoltaike.

“Punëtorët kanë kuptuar se kositja e arave ishte shumë e vështirë, më pyetën nëse mund t’u sillja delet e mia”, ka thënë bariu 72-vjeçar Rexhep Rrudhani, teksa urdhëronte qentë kujdestarë që të lëviznin kopenë që kulloste nën panele. “Delet hanë çdo lloj bari këtu, të mirë a të keq, dhe pastrojnë gjithçka. Ne të gjithë përfitojmë”, ka thënë ai.

“Reuters” ka shkruar më tej se Kosova ka pasuri prej 12-14 miliardë tonësh të rezervave të linjitit, që paraqet vendin e pestë më të pasur në botë. Më shumë se 90 për qind e energjisë prodhohet nga qymyri, ndërsa pjesa tjetër vjen nga burimet e ripërtëritshme, kryesisht erërat dhe dielli. Shteti ka qëllim ta largojë qymyrin në vitin 2050.

“Ne nuk po shpenzojmë asnjë pikë benzinë për kositëse bari”, ka thënë Arbër Maliqi, menaxher i impiantit. “Prodhimi i energjisë nga dielli dhe ‘kositja’ e barit me dele, do të thotë që gjërat këtu bëhen dy herë të gjelbër”.