Finale për Botëror – a do ta shkruajë Kosova historinë?

Kosova do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa të martën mbrëma përballet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45, në një duel që përcakton rrugën drejt Botërorit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Në prag të këtij takimi vendimtar, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shpreh realist por optimist, duke theksuar se gjasat janë të barabarta.

“Turqia është ekip shumë i fortë, me lojtarë cilësorë si Kenan Yildiz, Arda Güler dhe Hakan Çalhanoğlu. Por edhe ne kemi kualitet. Shanset janë 50-50 dhe do të japim gjithçka për fitore”, deklaroi Foda.

Ai shtoi se skuadra është e përgatitur për çdo skenar, përfshirë edhe vazhdimet apo penalltitë, duke theksuar rëndësinë e kompaktësisë dhe kundërsulmit si armë kryesore.

Nga ana tjetër, kapiteni Vedat Muriqi e cilësoi këtë përballje si një moment historik për vendin.

“Pas Pavarësisë, kjo mund të jetë lumturia më e madhe për shtetin tonë. Nuk ka rëndësi kush shënon, rëndësi ka të fitojmë. Besoj fuqishëm se mund ta arrijmë këtë sukses”, u shpreh Muriqi.

Sulmuesi kosovar theksoi edhe atmosferën e jashtëzakonshme brenda ekipit, duke e quajtur këtë sfidë një “finale historike” për Kosovën.

Kosova e zhvillon sot stërvitjen e fundit para ndeshjes, ndërsa interesimi i mediave dhe tifozëve është i jashtëzakonshëm, duke reflektuar rëndësinë e këtij dueli.