GSMA: Në mbarë botën 4.3 miliardë njerëz përdorin telefona celularë

Shoqata GSM e ka publikuar raportin e saj të Lidhjes së Internetit Mobil për vitin 2023 (Mobile Internet Connectivity Report 2023), në të cilin deklaron se 55 për qind e popullsisë së botës, ose rreth 4.3 miliardë njerëz, përdorin telefona celularë sot.

Sipas të dhënave të publikuara në këtë raport, 4.6 miliardë njerëz në mbarë botën e përdorin internetin dhe 4 miliardë kanë qasje në shërbime përmes telefonave inteligjentë.Raporti i GSMA zbuloi një pabarazi midis rajoneve dhe qasjes së tyre në internetin celular.

Rreth 69 për qind e përdoruesve të telefonave të mençur që jetojnë në Amerikën e Veriut, Azinë Lindore dhe rajonin e Paqësorit përdorin pajisje 4G, ndërsa shumica e përdoruesve në Afrikën Sub-Sahariane ende mbështeten në lidhjet 3G, ngjashëm me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ku një në tre telefonat mobilë ende përdorin internet 3G.

Rritja e përdorimit të internetit në celular nuk është befasi, por rreth 3.4 miliardë njerëz ende nuk kanë qasje në internet. GSMA pretendon se përqindja globale e njerëzve që jetojnë në zona me një rrjet celular dhe nuk e përdorin atë është 38 për qind. Hendeku i lidhjes është i madh në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore me 59 dhe 52 për qind të popullsisë që nuk janë të lidhur në internet.

Një tjetër informacion i rëndësishëm në raport është se 600 milionë njerëz, ose rreth 8 për qind e popullsisë së botës, ende përdorin internetin përmes të ashtuquajturave celular “feature phone”, pra një lloj celulari që ka ruajtur formën e gjeneratave të mëparshme, duke përfshirë ekranet e vegjël dhe butonat fizikë. Barriera të tjera për zgjerimin e mëtejshëm të përdoruesve celularë janë aftësitë dixhitale, shkrim-leximi, shqetësimet e sigurisë dhe disponueshmëria e përmbajtjes përkatëse. E gjithë kjo i pengon përdoruesit e telefonave të mençur t’i përdorin plotësisht pajisjet e tyre për të hyrë në internet./GSMA