Mashtrimi milionësh me prona në Prishtinës, arrestohet edhe një shtetas i Serbisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe një person të dyshuar për mashtrim e falsifikim dokumentesh, lidhur me një pronë në Prishtinë.

I arrestuari thuhet se është shtetas i Serbisë. Po për këtë rast më 19 shkurt u patën arrestuar edhe katër të dyshuar të tjerë me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh..

Shtetasi i Serbisë sipas raportit policor është arrestuar të dielën në Vërmicë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Republikës se Serbisë, i cili dyshohet se në bashkëpunim me persona te tjerë të dyshuar të arrestuar më datë 19.02.2026, kanë kryer veprime të kundërligjshme (falsifikim të dokumenteve/pasaportës dhe dokumenteve të tjera). Përmes këtyre dokumentet të falsifikuara kanë arritur që të tjetërsojnë /shesin sipërfaqe toke duke e mashtruar blerësin dhe duke marrë në këmbim 1,578,180.00 euro”, thuhet në raportin policor.

Pas intervistimit me urdhër te prokurorit i dyshuari thuhet se është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Kur ishin arrestuar katër të dyshuarit për këtë rast Policia pati njoftuar se të arrestuarit dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, përfshirë një pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera identifikuese, duke paraqitur një person të rrejshëm si pronar të ligjshëm të një prone.

Në këtë mënyrë sipas Policisë ata kanë arritur që përmes noterit ta tjetërsojnë një parcelë në pronësi të ankuesit M.T., me sipërfaqe 36.28 ari, ndërsa njëkohësisht kanë mashtruar blerësin H.M. duke i prezantuar dokumentacion të rregullt.

“Nga kjo skemë dyshohet se janë përfituar 1,578,180 euro. Me urdhër të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar 9 mijë euro para të gatshme, të cilat do të përdoren si provë në procedurë penale. Të dyshuarit po hetohen për mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe legalizim të përmbajtjes së rreme”, thuhej në njoftim.