Instituti gjerman pranon autorësinë e draftit për Asociacionin, përgënjeshtron Vuçiqin





Instituti gjerman, “Friedrich Ebert Stiftung”, ka pranuar autorësinë e draftit për Asociacionin, dhe në lidhje me hartimin e tij ka përgënjeshtruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Instituti gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” ka konfirmuar se bashkë me Institutin Evropian për Paqe janë autorë të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që doli të enjten në publik.

Por, përmbajtjen e draftit ky institut e ka quajtur të vjetër.
“Versioni që u publikua dje është një version i vjetruar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta ndajmë më pas me publikun”, thuhet në këtë përgjigje.

Ndërkaq, instituti ka shtuar se drafti është hartuar nga zyra e saj në Prishtinë dhe jo nga ajo në Beograd siç ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Jo. Vërejtjet e Vuçiq janë të pasakta. Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Zyra jonë partnere në Beograd nuk ishte e përfshirë në hartim. Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”, thuhet në përgjigjen e institutit gjerman për
RTV Dukagjinin

Lajm të rremë, e ka quajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, atë që ka qarkulluar si “Drafti gjerman”, i cili fliste për mënyrën se si do të formohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Osmani në një konferencë për media, ka thënë se asnjë dokument i tillë nuk i është prezantuar zyrës së saj apo Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka shtuar se Gjermania apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë që mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Po ashtu, ajo e ka paralajmëruar një takim në mes të ekipeve të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macon, ku sipas saj do të jepen detaje në lidhje me propozimin e tyre.