Katër persona kanë vdekur dhe 26 janë lënduar pasi një tren pasagjerësh që ishte nisur drejt Ukrainës është përplasur me një tren mallrash në qytetin çek të Pardubice.
Bëhet e ditur se treni mbante më shumë se 300 pasagjerë, shumë prej të cilëve shtetas të huaj.
Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, shprehu ngushëllime duke thënë se aksidenti ishte “një fatkeqësi e madhe”, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm, Vit Rakusan, tha se pasagjerët e lënduar kanë plagë të lehta dhe se policia tani po i identifikon ata.
Siç raportohet, në stacionin hekurudhor janë vendosur nëntë ambulanca dhe më shumë se 60 zjarrfikës profesionistë.
“Operacioni i shpëtimit ishte i ndërlikuar, pra kjo e bëri të vështirë depërtimin te të lënduarit”, tha zjarrfikësi Pavel Ber.
Një hetim për aksidentin është duke u zhvilluar dhe korridori kryesor hekurudhor që e lidh Pragën me Brnon do të qëndrojë i mbyllur për disa orë.
Ndryshe, Pardubice ishte gjithashtu skena e aksidentit më të rëndë hekurudhor çek në vitin 1960, kur 118 njerëz vdiqën dhe rreth 100 u plagosën në një përplasje të dy trenave të pasagjerëve. /Telegrafi/