Hetimi i madh në Belgjikë për bandën shqiptare të drogës, 17 arrestime

17 persona janë arrestuar të martën gjatë bastisjeve në disa shtëpi në Belgjikë dhe disa vende tjera evropiane, si pjesë e një hetimi të madh të Antwerpit lidhur me bandat shqiptare të drogës. Në Belgjikë janë bastisur 12 shtëpi. Janë bastisur shtëpi në Antwerp, Schoten dhe Sint-Niklaas.

Kontrolle të shtëpive ka pasur edhe në Gjermani, Francë, Itali, Holandë dhe Austri, ka njoftuar agjencia belge e lajmeve “Belga”.

11 të dyshuar janë kapur në Belgjikë, gjashtë në vendet tjera. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 100 kilogramë drogë (kokainë dhe speed), armë zjarri, kimikate, 265 mijë euro kesh, po ashtu edhe jelekë antiplumbë.

Policia është fokusuar në një grup kriminel të shqiptarëve që thuhet se specializoi në prerjen e sasive të mëdha të drogave dhe më pas transportonte në vende të ndryshme, duke përdorur automjete ku kishin hapësira të fshehura. Hetimi nisi vjeshtën e vitit 2023 dhe çoi te një bandë nga zona përreth qytetit të Vlorës. Thuhet se kishte blerë sasi të mëdha kimikatesh kjo bandë për të prerë drogën dhe u ofronte shërbime bandave tjera. /KOHA.net/Spektri