Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar N.S. për shkak të dyshimit të se ka kërkuar me vrasje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se është arrestuar personi me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale – Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social Facebook me përmbajtje inkriminuese, si dhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’, të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale i njëjti është ndaluar për 48 orë.
I dyshuari N.S. , në emisionin ‘’DEBAT PLUS’’ ka dhënë këtë deklaratë të mërkurën në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
‘’Unë konsideroj që çdo njeri që bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse ajo është tradhti ndaj atdheut’’.
Të mërkurën gjatë ditës, Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është intervistuar nga Policia e Kosovës për një postim në Facebook ku kishte shkruar në mes tjerash se më përpara e vret kryeministrin Kurti, se sa e lëshon Kosovën./Kallxo.com