KKSh organizon trajnim për mësimdhënësit shqiptarë në Medvegjë

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSh) ka organizuar gjatë ditës së sotme një trajnim profesional për mësimdhënësit shqiptarë të Komunës së Medvegjës me temën “Të mësuarit sumativ dhe formativ”. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i KKSh-së, Enkel Rexhepi.

Sipas njoftimit, ligjërues në këtë trajnim ishin Muhamet Mustafa dhe Llukman Limani, të dy bashkëpunëtorë të jashtëm të Ministrisë së Arsimit, të cilët ndanë përvoja dhe praktika bashkëkohore mbi procesin e vlerësimit në arsim.

Ky aktivitet konsiderohet i pari i këtij lloji i dedikuar posaçërisht për mësimdhënësit shqiptarë të shkollave “Zenel Ajdini” në Tupallë dhe “Banja e Sijarinës” në Banjë të Sijarinës, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe institucioneve arsimore shqipe në Medvegjë.

Kryetari Rexhepi theksoi se mësimdhënësit shqiptarë janë bartës të dijes dhe ruajtës të arsimit në gjuhën shqipe, ndërsa KKSh do të vazhdojë të qëndrojë pranë tyre me mbështetje profesionale dhe institucionale, me qëllim që nxënësit shqiptarë të kenë trajtim të barabartë në procesin mësimor./Spektri