AIA bën me dije se prej disa ditësh ka nisur procedurën e tërheqjes vullnetare, duke përfshirë disa produkte të hot dogëve të llojit Wudy të tregtuara edhe në Kosovë.
Kompania, e cila prodhon lloje të ndryshme duke përfshirë Wudy, ka nisur këtë procedurë në mënyrë parandaluese në marrëveshje me autoritetet italiane, për shkak të rasteve të ruajtjes jo korrekte të produkteve dhe të mosrespektimit të udhëzimeve të raportuara në etiketë, e që ushqimi mund të bëhet i papërshtatshëm për konsum nga pikëpamja mikrobiologjike.
Duke marrë parasysh motin jashtëzakonisht të nxehtë të kësaj vere, mundësia që produktet e përmendura të jenë transportuar dhe ruajtur në mënyrë jo të duhur dhe të konsumuara pa u gatuar ashtu siç duhet (siç tregohet në etiketë), kompania vendosi të fillojë këtë aktivitet parandalues për arsye të kujdesit dhe për mbrojtje më të lartë të konsumatorëve.
Kompania shfrytëzon rastin për të kujtuar se produktet e përfshira në tërheqje janë të përshtatshme për konsum vetëm nëse ruhen ashtu siç duhet dhe të konsumohen pas gatimit, siç tregohet në etiketë.
Kompania gjithashtu specifikon se ka funksionuar gjithmonë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe se të gjitha produktet tregtohen vetëm nëse kalojnë standardet e rrepta të kontrollit të brendshëm, dhe kontrollet e shumta zyrtare të kryera në ambientet e prodhimit nga ana e Autoriteteve. Këto procedura janë ndjekur edhe për llojet që përfshihen në tërheqjen aktuale. Në fakt ne saktësojmë se prania e mundshme e Listeria m. në këto produkte, si dhe në disa lloje të tjera të produkteve ushqimore, lejohet me ligj brenda kufijve të përcaktuar.
Kompania kërkon falje nga klientët dhe konsumatorët e saj për çdo shqetësim që mund të shkaktohet nga kjo tërheqje vullnetare, – e që – po e përsërisim – është bërë në mënyrë parandaluese. Në të njëjtën kohë kompania falënderon të gjithë njerëzit e përfshirë për bashkëpunimin e tyre të çmuar dhe konfirmon angazhimin e saj të plotë ndaj klientëve dhe konsumatorëve.