Konkurs për zjarrfikësa: 3 vende për Preshevën dhe 1 për Bujanocin

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka shpallur konkurs publik për pranimin e 300 kandidatëve në trajnimin bazë për pjesëtarë të njësive zjarrfikëse-shpëtuese, ku këtë herë janë paraparë vende pune edhe për Preshevën dhe Bujanocin.

Sipas konkursit zyrtar, për njësin zjarrfikëse-shpëtuese në Preshevë janë parashikuar 3 vende pune për pozitën zjarrfikës-shpëtimtar – shofer, ndërsa për njësin zjarrfikëse-shpëtuese në Bujanoc është paraparë 1 vend pune për të njëjtën pozitë.

Ky konkurs përbën një mundësi konkrete punësimi për të rinjtë nga Lugina e Preshevës, veçanërisht për ata që jetojnë në Preshevë dhe Bujanoc dhe që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga MUP-i. Kandidatët duhet të jenë të moshës 19 deri në 30 vjeç, të kenë të përfunduar arsim të mesëm, si dhe të posedojnë patentë-shofer të kategorisë C, ose kategorinë B me obligim që kategoria C të përfundohet brenda 18 muajve pas përfundimit të trajnimit.

Ndërkohë, në këtë konkurs nuk janë paraparë vende për komunën e Medvegjës.

Aplikimet dorëzohen në stacionet policore sipas vendbanimit të kandidatit, brenda afatit të përcaktuar nga konkursi, ndërsa procesi i përzgjedhjes përfshin kontrolle mjekësore, vlerësim psikologjik, testim të aftësive fizike dhe intervistë. Kandidatët që e përfundojnë me sukses trajnimin fitojnë mundësinë e punësimit të rregullt në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Njoftimi i plotë i konkursit