Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se bisedimet me Serbinë kanë arritur në qorrsokak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian me Serbinë kanë arritur në qorrsokak.

Këtë deklaratë Kurti e ka thënë në një intervistë me gazetën The Guardian, e cila u zhvillua para se të tensionohej situata në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një polic i Kosovës mbet i vrarë dhe tre të tjerë u plagosën pas një sulmi nga persona të armatosur.

Sipas Kurtit paqëndrueshmëria e vazhdueshme e ka bërë rajonin “një shesh lojrash për lojërat gjeopolitike të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës”.

Kurti e përshkruan takimin e fundit të dështuar më 14 shtator mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si një “shpartallim” dhe tha se i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, kishte “humbur neutralitetin”.

Në rrëfimin e Kurtit për The Guardian thuhet se, emisari Lajçak nuk ia ka përcjellë kosovarëve qëndrimin e shkruar negociues të Serbisë para takimit dhe ai iu është prezantuar atyre vetëm pas ndërprerjes së bisedimeve. Ai tha se letra e pozicionit ishte më shumë se gjashtë muaj e vjetër.

“Nuk ka ecje më tej me këtë metodë”, tha Kurti. “Takimi i 14 shtatorit tregoi kufijtë e metodave të vjetra”.

Ai e akuzoi Vuçiqin për ofendime ndaj tij gjatë bisedimeve, të cilat ai tha se ishin bërë një dukuri e rregullt pa asnjë përpjekje nga ndërmjetësit për ta ndaluar atë.

“Ai shpesh gjatë këtyre dy viteve ofendon dhe shan serbisht”- tregon Kurti teksa shton se “Kam kërkuar nga ndërmjetësit ta ndalojnë dhe ta dënojnë, por kjo nuk ndodh kurrë”.

Në një samit tjetër, në Moldavi më 1 qershor, ku morën pjesë Emmanuel Macron, president i Francës, Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, Vuçiq hodhi sharje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thuhej në një reagim nga zyra e saj.

“Ai iu drejtua Presidentes së Kosovës dhe stafit të saj përcjellës me termin nënçmues dhe çnjerëzor minjtë”- ka thënë Blerim Vela, shefi i kabinetit të Osmanit.

Një burim thotë se megjithëse Macron dhe Scholz nuk mund të kuptonin se çfarë po thoshte, “gjuha e trupit të Vuçiqit tregoi se ai ishte i irrituar” dhe nuk dëshironte të ishte në një dhomë me kosovarët.

Sipas The Guardian, kreu i ekzekutivit kosovar, nuk ka dashur të specifikonte se çfarë epitetesh gjoja ka përdorur presidenti serb kundër tij, por diplomatët kosovarë thanë se një nga fjalët fyese të përdorura në takimet e mëparshme ishte “shiptar ” (Šiptari), një fyerje etnike në serbisht për t’iu referuar shqiptarëve.

“Ndjehet si një dhunues shkolle të cilit i jepet nderime nga administrata e shkollës, përveç se në këtë rast dhunuesi i shkollës kreu gjenocid dhe është një aleat i vendosur i [Vladimir] Putinit”- ka vlerësuar Kurti.

Zyra presidenciale e Serbisë nuk iu është përgjigjur këkesave të The Guardian për të dhënë një koment ose qëndrim të tyre.

Ndërmjetësuesit evropianë menduan se kishin arritur një përparim në shkurt, kur Vuçiq dhe Kurti u takuan në Bruksel dhe ranë dakord për një “rrugë drejt normalizimit”.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet do të njihnin pasaportat, flamujt dhe simbolet e njëri-tjetrit, Serbia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe Kosova do të “siguronte një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Pavarësisht se miratoi verbalisht dokumentin e Brukselit dhe një aneks zbatimi muajin pasardhës në një takim të veçantë në Liqenin e Ohrit të Maqedonisë së Veriut, Vuçiq refuzoi të nënshkruante asnjërën dhe u tërhoq menjëherë pas kësaj, duke nxitur mosbesim në Kosovë.

Pasi zyrtarët e BE-së përshëndetën marrëveshjen e Ohrit si një sukses, Vuçiq u shfaq në televizionin serb për të siguruar ndjekësit e tij se nuk kishte nënshkruar asgjë sepse siç deklaronte ai “kam dhimbje torturuese në dorën time të djathtë”, duke shtuar se: “Ajo dhimbje pritet të vazhdojë për katër vjet”.

Jo shumë kohë pas kësaj, në prill, Beogradi e shkeli drejtpërdrejt marrëveshjen e Ohrit duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Që kur shpërtheu lufta në Ukrainë, Kosova beson se prioriteti ka ndryshuar për të siguruar që Serbia të mos bjerë më tej nën ndikimin e Rusisë. Ajo pretendon se BE-ja dhe SHBA-ja kanë përqendruar kritikat e tyre në qeverinë e Kurtit për mos themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe për t’i dhënë zonave serbe më shumë autonomi.

The Guardian shkruan se ishte e paqartë se ku kishte një dallim thelbësor midis qëndrimeve të BE-së dhe Serbisë. Të dyja kërkojnë që Kosova të veprojë së pari ndaj komunave serbe si parakusht për përparim. Kurti refuzon ta bëjë atë lëvizje pa hapat përkatës nga Serbia, duke theksuar se asgjë në të dhënat e Vuçiqit, nuk sugjeron se mund t’i besohet atij.

Edward P Joseph, një ish-zëvendës shef i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, argumentoi se Kurti ishte i justifikuar të ishte i kujdesshëm.

“Ai nuk gabon që kërkon specifikë reale dhe garanci reale nga SHBA-ja dhe BE-ja në lidhje me zbatimin nga ana serbe të kësaj marrëveshjeje”, tha Joseph, tani një anëtar i lartë në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins. “Është një pyetje strategjike. Ai do t’i jepte autonomi një grupi separatist që kontrollohet nga një fqinj shumë më i madh dhe armiqësor”.

Kurti tha se ka shkuar në takimin e fundit më 14 shtator me propozime se si mund të renditen hapat kosovarë dhe serb. Sipas tij, Lajçak, tha se propozimet nuk do të funksiononin pasi bien ndesh me pozicionin e Serbisë. Kur kryeministri kosovar kërkoi të shihte fletën e qëndrimit të Serbisë, Lajçak tha se i ishte dhënë zëvendësit të Kurtit para takimit.

Megjithatë, zëvendëskryeministri tha se nuk kishte marrë asgjë, kështu që Kurti shkoi të përballej me Lajçak, i cili më pas tha se ekipi i tij ishte ende “duke u përpjekur të merrte dokumentin” nga dosjet e tyre.

Sipas Kurtit, dokumenti i munguar ka rezultuar se është hartuar nga Serbia edhe para marrëveshjes së marsit dhe ka insistuar se nuk mund të ketë përparim derisa Kurti të krijojë asociacionin e komunës serbe, tha Kurti. Në sytë e tij, Lajçak kishte adoptuar kushtet serbe pa diskutim.

“Kjo është arsyeja pse u tmerrova. Isha i tronditur”, tha Kurti. “Mendoj se 27 vendet e BE-së nuk janë të informuar për këtë. Ata ia kanë dhënë këtë punë shumë të rëndësishme këtij personi që ka humbur neutralitetin”.

Zyra e Lajçak ka refuzuar të komentojë për The Guardian mbi të dhënat rreth versionit të ngjarjeve të Kurtit.

Zëdhënësi kryesor për punët e jashtme të BE-së, Peter Stano tha se rrëfimi i Kurtit “nuk pasqyron të vërtetën dhe është i pasaktë”.

Ai tha se 27 vendet anëtare kishin ritheksuar mbështetjen e tyre të plotë për dialogun, për Borrell që drejtonte bisedimet dhe për Lajçak.

Ai e kritikoi Kurtin për shkeljen e konfidencialitetit.

“Shtetet anëtare të BE-së 27 i kujtuan gjithashtu zotit Kurti përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi të ndjeshëm politikisht të negociatave”- tha zëdhënësi.

Qasja e SHBA dhe BE-së ka tërhequr kritika diku tjetër. Në gusht, një grup politikanësh të shquar perëndimorë, duke përfshirë kryetarët e komiteteve parlamentare të punëve të jashtme të SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë, u shkruan udhëheqësve të SHBA-së dhe BE-së për të kërkuar një ndryshim në atë që ata thanë se ishte një qasje me në qendër Serbinë.

Në një letër të formuluar ashpër, ata kërkuan që “komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos miratojmë një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin”.

Aleksandra Tomaniç, drejtoresha ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin, një grup avokues pro-demokracisë, tha se takimet e BE-së po bëheshin të pakuptimta dhe madje kundërproduktive.

“Nuk mjafton ‘Lehtësimi’ i një dialogu ku të dyja palët kanë qëllime krejtësisht të kundërta” – tha Toamniç, teksa shton se “Të sigurosh hapësirën e zyrës dhe biskotat dhe të vazhdosh “dialogun” për vite do të çojë në më shumë zhgënjim, rritje të mëtejshme të mosbesimit dhe përfundimisht tensione, siç e shohim tani”.

Donika Emini, e cila drejton një koalicion të OJQ-ve në Kosovë të quajtur Platforma CiviKos, u pajtua se përmes “llogaritjeve të gabuara” të tij, Kurti kishte “humbur serbët në veri dhe do të duhet shumë kohë për të riparuar këtë marrëdhënie”.

Megjithatë, ajo tha se Kurti kishte të drejtë që nuk themeloi një asociacion të komunave serbe pa garanci solide nga BE-ja dhe SHBA-ja për përparimin drejt normalizimit me Serbinë.

Përndryshe, Emini thekson se, “do të ishin një shtresë tjetër e qeverisjes, Kosova do të jetë më jofunksionale brenda vendit dhe nuk do të lëvizë asgjë në nivel ndërkombëtar apo në raport me Serbinë”.

Emini shton se “Mendoj se ata janë tepër optimistë se Vuçiq do të kthehet drejt perëndimit nëse i bëjnë presion Kurtit dhe akomodojnë kërkesat serbe ndaj Kosovës”.

Joseph argumenton se perëndimi nuk do të ketë ndikim mbi Serbinë ndërsa katër anëtarë të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – ende nuk e njohin Kosovën, kryesisht nga frika e precedentit që do të krijonte për rajonet separatiste në vendet e tyre.

Si një mënyrë për të kapërcyer ngërçin, ai argumentoi se njohja ukrainase e Kosovës mund të sigurojë katalizatorin për të bindur katër vendet evropiane që të ndjekin shembullin.

Kurti tha se e ngriti këtë çështje kur u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Ai shtoi: “Unë besoj se njohja nga Ukraina do të ishte një mirëkuptim dhe solidaritet i thellë me njëri-tjetrin kundër agresionit autoritar”./TheGuardian