Linç në Surdulicë pas aksidentit fatal – familje shqiptare në shënjestër të protestuesve

Protestat e organizuara pas një aksidenti trafiku ku humbi jetën një burrë 40-vjeçar nga Surdulica janë shndërruar në një fushatë me thirrje shoviniste dhe presion ndaj një familjeje shqiptare, shkruan javorja “Vreme”.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi të hënën (9 shkurt) dhe në të ishte i përfshirë një i ri 20-vjeçar, me përkatësi shqiptare, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Megjithatë, në ditët pas ngjarjes, në rrjetin Viber është krijuar grupi “Pravda za Rastka”, ku shpërndahen thirrje për protesta dhe për dëbimin e familjes shqiptare nga qyteti.

Në grup është përfshirë edhe ministri pa portofol Novica Tonçev, i cili ka deklaruar për “Vreme” se mesazhet e tij nuk kanë përmbajtur thirrje për hakmarrje apo përçmim mbi baza kombëtare, por se ai kërkon që institucionet të bëjnë punën e tyre.

Protesta dhe incidente

Të mërkurën (11 shkurt), një numër qytetarësh u mblodhën para një furre buke që lidhet familjarisht me shoferin e përfshirë në aksident dhe e qëlluan objektin me gurë dhe vezë. Në video të publikuara dëgjohen thirrje si “dëboni ata” dhe “goditni”. Sipas dëshmitarëve, protestuesit u mblodhën edhe para shtëpisë së familjes, duke shqetësuar fëmijët dhe duke dëmtuar një automjet.

Një banor i Surdulicës ka deklaruar se disa persona kanë bërë thirrje që të incizohen edhe qytetarët që blejnë bukë në atë furrë, ndërsa kushdo që kundërshton dhunën bëhet shënjestër e sulmeve verbale.

Presion edhe ndaj qytetarëve që kundërshtojnë dhunën

Një student nga Surdulica, i cili studiojnë në Universitetin e Beogradit, pasi dënoi publikisht sulmet ndaj familjes shqiptare, u ekspozua në grupin Viber, ku u shpërndanë fotografi të tij dhe familjarëve. Po ashtu, në shënjestër u vu edhe një i ri që, sipas raportimeve, kishte ndihmuar familjen shqiptare të largohej drejt një vendi më të sigurt.

Sipas “Vreme”, në këtë grup ku bëhen thirrje për dhunë ndodhen edhe zyrtarë lokalë dhe funksionarë të partive në pushtet.

Një qytetare e intervistuar thekson se bëhet fjalë për një linç publik ndaj një familjeje vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Ajo shton se shoferi ndodhet në paraburgim dhe se furra e bukës nuk është në pronësi të tij, por e një të afërmi.

“Viktima duhet të nderohet dhe familjes t’i shprehet ngushëllim, por mënyra se si po reagojnë disa qytetarë mund të bëjë që pakicat kombëtare në Serbi të ndihen të pasigurta”, ka thënë ajo.