Lirohen në mungesë të provave katër të arrestuar gjatë aksionit të Policisë në Banjskë

Katër persona të arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë liruar gjatë ditës së djeshme, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu, i cili tha se të arrestuarit janë liruar në mungëse të provave.

“Ju njoftojmë se katër (4) perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës“, tha Lutfiu.

Përleshjet që pasuan mes sulmuesve dhe forcave të rendit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, zonë e banuar me shumicë serbe, rezultuan me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Të vrarë mbetën edhe tre terroristë serbë, teksa disa prej tyre u arrestuan.

Zyrtarët e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi mohuan se kanë gisht në këto ngjarje.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti./Sinjali