Ministrja Elisa Spiropali përshëndet projektligjin në Kongresin e SHBA-së për të drejtat e shqiptarëve në Luginë!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar në rrjetin social Facebook pas paraqitjes në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti Amerikan i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në reagimin e saj publik, Spiropali ka vlerësuar këtë nismë si një njohje të rëndësishme institucionale të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke veçuar veçanërisht çështjen e pasivizimit të adresave, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në shkeljen e të drejtave civile dhe politike të këtij komuniteti.

Ministrja thekson se paraqitja e këtij projektligji shënon një hap domethënës në ndërkombëtarizimin dhe trajtimin serioz të çështjeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e cilësuar angazhimin e Kongresit Amerikan si një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të tyre.

Spiropali shpreh gjithashtu mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar këtë nismë edhe si një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në përfundim të reagimit të saj në Facebook, ministrja Elisa Spiropali ka theksuar se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për adresimin e këtyre çështjeve.