Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se sot në Uashington ka pranuar personalisht nga kongresisti amerikan Keith Self projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një instrument zyrtar të shtetit amerikan për vlerësimin, dokumentimin dhe ekspozimin e pasivizimit administrativ, përjashtimit nga institucionet publike, shtypjes së gjuhës, diskriminimit në arsim dhe margjinalizimit ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet në periferi të diplomacisë, por hyn në zemër të politikës amerikane – jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka deklaruar Kamberi, duke falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
