Moment vendimtar: kauza e Luginës ngrihet fuqishëm në Kongresin Amerikan

Lugina e Preshevës ka hyrë në një fazë të re të avokimit ndërkombëtar, pasi çështja e saj u trajtua dje në dëgjimin zyrtar të Kongresit Amerikan si një problem serioz i diskriminimit shtetëror, pasivizimit dhe rrezikut për destabilizim në Ballkan.

Në Nënkomitetin për Evropë, i kryesuar nga kongresisti Keith Self, çështja e shqiptarëve etnikë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë u ngrit në nivelin më të lartë të institucionit legjislativ amerikan. Self deklaroi qartë se trajtimi i shqiptarëve nga Beogradi është “i patolerueshëm” dhe mund të çojë në rihapje të konflikteve. Në fund të seancës, ai deponoi edhe rezolutën kongresiale që adreson drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ajo që e bën këtë moment edhe më të veçantë është fakti se çështja nuk u ngrit vetëm nga kongresisti Self. Tre ekspertë të pavarur të thirrur në seancë –

Edward P. Joseph (Johns Hopkins SAIS),

Luke Coffey (Hudson Institute),

Max Primorac (Heritage Foundation) –

u rreshtuan hapur në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, duke dënuar politikat diskriminuese dhe pasivizimin e adresave.

Kjo është hera e parë që një Nënkomitet i Kongresit Amerikan, së bashku me dëshmitarët kryesorë, mban një qëndrim kaq të qartë dhe unanim për këtë çështje, duke e vendosur Luginën e Preshevës në fokus të vëmendjes ndërkombëtare.

Ky zhvillim vjen pas një periudhe intensive lobimi dhe avokimi në qendrat kryesore politike ndërkombëtare – Bruksel, Berlin, Strasburg, Zvicër, New York, Washington dhe Dallas – ku është punuar për vite që çështja e Luginës të njihet dhe të trajtohet në institucionet më të rëndësishme të politikës globale.

Një rol të veçantë në këtë proces pati Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili koordinoi me përkushtim të gjitha takimet dhe përpjekjet institucionale.

Mirënjohje e posaçme u shpreh edhe për Ligen Qytetaro-Amerikane të Joe DioGuardit, që e ka çuar kauzën e Luginës deri në tryezën e Kongresit, si dhe për komunitetin shqiptar në Dallas, i cili po dëshmon fuqinë e diasporës në proceset lobuese.

Po ashtu, u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ka qëndruar në krah të këtij vizioni politik dhe kombëtar.

Dita e djeshme në Kongres shënon një kapitull të ri për të drejtat, sigurinë dhe të ardhmen politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Procesi i lobimit vazhdon, ndërsa rezoluta e paraqitur hap një dritare të re shprese në arenën ndërkombëtare.

https://www.facebook.com/share/v/17eDMnVNsW/?mibextid=wwXIfr