Top Channel ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga shpërthimi me eksploziv i ndodhur një natë më parë në shtëpinë e presidentit të FSHF-së, Armando Duka.
I riu i veshur me të zeza nga koka tek këmbët ecën nga ana e kundërt e shtëpisë së Dukës, më pas lë sasinë me lëndë shpërthyese dhe largohet me shpejtësi.
Pas disa sekondash dëgjohet zhurma e madhe dhe dalin jashtë portës edhe komshinjtë afër shtëpisë.
Nuk dihet ende se kush është i riu, ndërsa policia vijon hetimet për ta identifikuar dhe arrestuar më pas.
Armand Duka në një prononcim për mediat mbrëmë tha se shpërthimi ishte i fuqishëm por fatmirësisht nuk ka të lënduar dhe se nuk e di se kush mund ta ketë bërë.
Ai u shpreh se kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me kapuç që kur vendos lëndën plasëse në portën e jashtme të shtëpisë.
“Në shtëpi ndodheshin gruaja dhe djali, unë tani erdha. Uroj të jetë ndonjë rastësi. Nuk kemi dëmtime në njerëz sepse porta është larg shtëpisë. Shpërthimi ishte mjaft i madh. Nga kamerat duket një djalë me kapuç që vendos eksplozivin në portë, aty ku hapet e mbyllet porta. Unë nuk kam asnjë dyshim. Këtu ka mjaft policë të zotë dhe besoj nesër do dalë ai që e ka vendos tritolin”, u shpreh Duka.
Lidhur me ngjarjen, policia e Durrësit ka shoqëruar disa persona pasi dyshohej se kishin dijeni për shpërthimin, por më pas janë lënë të lirë nga policia.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi sot për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në cilësinë e aksionerit te Klubit të Futbollit Tirana, Veliaj akuzon Ilir Shulkun, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatë Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, se kanë manipuluar në bashkëpunim zgjedhjet për Kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.
Veliaj rendit një sërë shkeljes, teksa thekson se ato janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjes së Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së.
Ai nënvizon se Komisioni i Verifikimit nuk ka bërë identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote, si dhe lista përkatëse e delegatëve legjitim nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve paraprakisht.