Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se nga sot e deri më 21 dhjetor, në 34 shtete evropiane anëtare të organizatës ROADPOL (rrjeti i policive të komunikacionit në Evropë), do të zhvillohet një aksion ndërkombëtar i kontrollit të shtuar të trafikut, i fokusuar në zbulimin e shoferëve që drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe substancave psikoaktive.
Duke marrë parasysh se aktualisht është periudha e festave familjare dhe korporative, si dhe afrimi i festave të Vitit të Ri dhe të Krishtlindjeve, aktivitetet e policisë së komunikacionit do të përqendrohen kryesisht në identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që lidhen me drejtimin e automjetit në gjendje të dehur ose nën ndikimin e drogës.
MPB thekson se, nga 1 janari deri më 30 nëntor të këtij viti, shoferët nën ndikimin e alkoolit kanë shkaktuar 57 aksidente me viktima dhe 1.448 aksidente me persona të lënduar në rrugët e Serbisë.
Statistikat tregojnë se shoferët e dehur shkaktojnë çdo të shtatën aksident me të vdekur ose të lënduar.
Sipas Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, më shumë se 12.000 persona janë ndaluar për këto shkelje, bëjnë të ditur nga MPB-ja.
Për të ruajtur sa më shumë sigurinë në komunikacion, në këtë aksion do të angazhohen të gjithë alkotestet dhe testet për drogë që ka në dispozicion policia, si dhe numri maksimal i pjesëtarëve të policisë së komunikacionit.