Ndalimi i telefonave ose arsimi digjital? Debati përplas institucionet në Serbi

Zbardhen kundërthëniet rreth ndalimit të telefonave në shkolla: mes propozimit të Ombudsmanit dhe politikave shtetërore të digjitalizimit

Debati për ndalimin e përdorimit të telefonave mobilë në shkollat e Serbisë është ndezur sërish, pasi brenda vetëm një dite u publikuan qëndrime krejtësisht të kundërta nga institucione shtetërore.

Dje, Ombudsmani Zoran Pashaliq njoftoi se më së voni në fillim të vitit të ardhshëm do t’i paraqesë Kuvendit të Serbisë një projektligj që parashikon ndalimin e plotë të përdorimit të telefonave mobilë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Sipas propozimit, telefoni dorëzohet në momentin kur fillon mësimi dhe merret vetëm pas përfundimit të orëve, pa mundësi përdorimi as gjatë pushimeve – përveç rasteve të rralla të justifikuara mjekësisht. “Komunikimin me prindërit e merr përsipër mësuesi, sepse kjo është detyra e tij”, deklaroi Pahaliq.

Ky njoftim u prit me reagime të shumta, kryesisht nga vetë nxënësit, ndërsa Ombudsman pret deri në fund të javës komentet nga Paneli i të Rinjve Këshillues, përpara se projektligji të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend.

Sot, një tjetër institucion shtetëror del me qëndrim krejt të kundërt: ndalimi bie ndesh me strategjinë arsimore të vendit.

Instituti për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Trajnimit paralajmëroi se një ndalim i tillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Strategjinë e Arsimit, ku digjitalizimi ka rol qendror. Sipas tyre, në një realitet ku shumica e shkollave ende nuk kanë pajisje të mjaftueshme digjitale (tabletë apo laptopë) për nxënësit, kufizimi i përdorimit të pajisjeve personale mund të dëmtojë procesin edukativ.

Institucioni kujton se në vendet ku ndalimi i telefonave është zbatuar, nxënësit kanë pajisje të siguruara nga shkolla, gjë që në Serbi nuk është standard i përgjithshëm. Për këtë arsye, telefono celular – në mënyrë të udhëzuar, të kontrolluar dhe me qëllime edukative – konsiderohet një burim i vlefshëm për të mësuar, sidomos për shkollat që nuk zotërojnë pajisje të mjaftueshme.

Instituti rikujton se rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar ICILS 2023 tregojnë se 67% e nxënësve nuk arrijnë nivelin minimal të kompetencave digjitale, ndërsa mësimdhënësit në vend përdorin teknologjinë në mënyrë dukshëm më të kufizuar se mesatarja ndërkombëtare. Kjo, sipas tyre, është arsye më shumë për ta forcuar integrimin pedagogjik të teknologjisë – jo për ta ndaluar.

Në udhëzimet zyrtare të publikuara së fundmi nga Zavodi, të cilat u shërbejnë shkollave për hartimin e rregulloreve të brendshme, thuhet qartë se përdorimi i pajisjeve personale të nxënësve në shkollë është i paraparë vetëm për qëllime edukative, por nuk mund të ndalohet nëse shkolla nuk ka pajisje të veta të mjaftueshme.

Debati tani kalon në Kuvendin e Serbisë, i cili do të vendosë nëse do të mbështesë linjën restriktive të Ombudsmanit apo qasjen e digjitalizimit të promovuar nga vetë politika shtetërore e arsimit.

Deri atëherë, mbetet e hapur pyetja thelbësore:

A duhet të ndalohet telefoni në shkollë si mjet shpërqendrimi, apo të pranohet si mjet i së ardhmes që ndihmon mësimin – në varësi të mënyrës se si përdoret?