Parlamenti Europian do të diskutojë për situatën në veri javën e ardhshme

Parlamenti Europian në seancën e ardhshme pritet të diskutojë për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, gjatë të cilave mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Sipas njoftimit, debati në Parlamentin Europian do të mbahet të martën më 3 tetor.

Institucioni ka bërë e ditur se eurodeputetët do të diskutojnë për marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit me Komisionin dhe Këshillin, pas situatës së krijuar së fundmi në veri.

Në njoftimin e Parlamentit është përsëritur deklarata e Përfaqësuesit të Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e grupit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës.

Ndërsa është theksuar se në dy raporte të veçanta, të miratuara në maj të këtij vitit, eurodeputetët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian dhe të sigurojnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në parimin e njohjes reciproke.

“Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012 dhe negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2014.

Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022”- ka kujtuar Parlamenti.Bashkimi Europian ka thënë se përgjegjësit për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës duhet të sillen para drejtësisë.

Flamuri në zyrat e Bashkimit Europian në Beograd nuk është ulur në gjysmë-shtizë ani pse Qeveria e Serbisë kishte shpallur 27 shtatorin ditë zie për tre terroristët e vdekur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, për KALLXO.com ka thënë se BE është kundër glorifikimit të kriminelëve.

“Të hënën, Zyra e BE-së në Prishtinë ka vendosur flamurin e BE-së në gjysmë-shtizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur të Kosovës, viktima të sulmit të tmerrshëm terrorist të së dielës. Qëndrimi i BE-së për sulmin u shpreh qartë në deklaratat e HRVP-së (Josep Borrell) të lëshuar më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”- ka thënë ai.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që dyshohet se ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Të hënën Policia e Kosovës prezantoi pajisjet luftarake ushtarake të grupit terrorist.Ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë kanë dënuar sulmin terrorist të këtij grupi në veri të vendit./Kallxo.com