Zhvillimet e fundit në Grupin Qytetar dr. Dejan Stojanoviq në Bujanoc po konfirmojnë përçarjet e brendshme, të cilat tashmë kanë dalë edhe publikisht në skenën institucionale, raporton Spektri.
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, të mbajtur në muajin mars, këshilltarët e këtij grupi votuan ndryshe nga lideri i tyre, dr. Dejan Stojanoviq, duke e lënë atë të vetëm në qëndrimin kundër një propozimi që lidhej me ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Bibliotekës, Jelena Simiq.
Propozimi për tërheqjen e pikës nga rendi i ditës u mbështet nga të gjithë këshilltarët e shumicës, përfshirë edhe katër këshilltarë të GQ-së, ndërsa vetë Stojanoviq votoi kundër dhe për një moment braktisi sallën e kuvendit.
Ky episod u interpretua si shfaqje e hapur e mosmarrëveshjeve brenda GQ-së, ndërsa raportet e brendshme në këtë subjekt mbetën të paqarta edhe pas përpjekjeve të mediave për të marrë një qëndrim zyrtar.
Pak ditë pas këtyre zhvillimeve, vetë Stojanoviq reagoi publikisht, duke folur për presione të vazhdueshme ndaj GQ-së, të cilat sipas tij, synojnë destabilizimin dhe shkatërrimin e këtij subjekti politik.
Në deklaratën e tij të cilën e ka publikuar portali lokal Bujanovaçke, ai thekson se përçarja brenda grupit është reflektuar pikërisht në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, duke e lidhur atë me interesa personale dhe zhvillime të brendshme që, sipas tij, nuk përputhen me interesin e qytetarëve.
Ai përmend gjithashtu se disa procese dhe vendime brenda grupit janë ndikuar nga faktorë të jashtëm, duke lënë të kuptohet për presion politik më të gjerë ndaj strukturës që ai drejton.
GQ përfaqësohet me 5 këshilltarë në Kuvendin Komunal dhe është pjesë e shumicës qeverisëse, e cila përbëhet nga 8 këshilltarë të Frontit, 8 nga SNS, 5 nga GQ dhe 2 përfaqësues të komunitetit rom.
Në këtë konfigurim, çdo lëkundje brenda GQ-së – si një faktor vendimtar në balancën e shumicës, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe stabilitetin e pushtetit lokal.
Pavarësisht zhvillimeve, Stojanoviq ka theksuar se GQ nuk do të shndërrohet në mjet për interesa personale dhe se do të vazhdojë të veprojë, sipas tij, në mënyrë transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
Situata brenda këtij subjekti mbetet në vëmendje, ndërsa zhvillimet e ardhshme mund të përcaktojnë jo vetëm drejtimin e GQ-së, por edhe balancat politike në nivel lokal./Spektri