Përndjekja e shqiptarëve në Surdulicë: Pronari i furrës rrëfen agoninë

Pronari i një furre buke në Surdulicë ka folur për javoren “Vreme” mbi presionin dhe frikën që po përjeton familja e tij, pasi një i afërm i tij shkaktoi aksidentin tragjik ku humbi jetën një qytetar i këtij qyteti. “Nuk po kërkohet drejtësi për viktimën, por dëbimi ynë. Nëse shteti nuk mund të më mbrojë, nuk di çfarë të them”, ka deklaruar Liridoni, i cili kërkoi të mos publikohet mbiemri i tij.

Edhe pse ai vetë nuk ka lidhje me aksidentin, në rrjete sociale dhe në një grup Viber me mbi një mijë anëtarë vazhdojnë thirrjet për protesta dhe bojkot ndaj “furrës shqiptare”. Disa persona fotografojnë qytetarët që blejnë aty dhe e monitorojnë lokalin edhe gjatë natës, ndërsa për 14 shkurt është paralajmëruar një protestë e re me moton “Pravda za Rastka”.

Sipas tij, protesta është shndërruar në përndjekje shoviniste ndaj gjithë familjes. Ai thotë se është detyruar të largojë gruan dhe fëmijët në një vend të sigurt, pasi protestuesit kanë tentuar të ndalojnë automjetin që i transportonte. Në grupin online janë shpërndarë fotografi dhe madje edhe lokacioni ku ishte strehuar familja, ndërsa personat që i kanë ndihmuar janë etiketuar si “tradhtarë”.

Përfaqësuesja e Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, Katarina Goluboviq, vlerëson se rasti mund të cilësohet si krim i urrejtjes dhe kërkon reagim urgjent të prokurorisë për nxitje të urrejtjes racore, fetare dhe kombëtare. Prokuroria Themelore në Vlladiçin Han ka bërë të ditur se policia ka raportuar për protestat dhe incidentet, ndërsa po kryhen verifikime për identifikimin e personave të përfshirë.