Policia: Sulmi nisi me vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën e Bajnskës!

Policia është deklaruar rreth sulmit në veri të Kosovës në orët e para të së dielës, ku si pasojë vdiq një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur.

Sipas komunikatës së Policisë, e gjitha ka filluar me vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Bajnskë, e cila është e bllokuar.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sipas njoftimit të Policisë, njësitë policore të aktivizuara në terren po sulmohen kohë pas kohe me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.