Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike të nënshkruar nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Republika e Kosovës vendos bazën ligjore për trajtimin e qenve endacakë në tërë territorin e vendit.
Ky udhëzim administrativ përcakton kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga strehimoret e kafshëve shoqëruese për të ofruar trajtimin e duhur për qentë dhe macet nën përgjegjësinë e tyre.
“Me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike që duhet plotësuar nga Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, të nënshkruar sot nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vendoset themeli i bazës ligjore për trajtimin e qenve endacakë nga secila Komunë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
“Kështu përcaktohen qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet; ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës si dhe veprimet e sjelljet ndaj qenve endacak që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazes post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, sqaroi ai./Insajderi