Bllokohen fondet për shqiptarët në Luginë, Rexhepi: “Kjo është goditje ndaj arsimit dhe të ardhmes”

Donacionet e ligjshme që synonin mbështetjen e arsimit, rinisë dhe zhvillimit po refuzohen pa arsye të qarta, duke lënë pasoja të drejtpërdrejta për mijëra përfitues në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka publikuar një video-sqarim mbi situatën e krijuar rreth bllokimit të fondeve të destinuara për projekte në këtë rajon. Sipas tij, bëhet fjalë për mjete të miratuara nga institucionet përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat janë dorëzuar me dokumentacion të plotë, por që më pas janë refuzuar dhe kthyer mbrapsht nga banka.

Rexhepi thekson se ky veprim nuk mund të konsiderohet çështje teknike, por vendim politik, duke e cilësuar si diskriminim të hapur ndaj shqiptarëve në Luginë. Ai përmend se pasojat janë të mëdha dhe prekin drejtpërdrejt sektorë kyç të shoqërisë.

Sipas të dhënave të prezantuara, nga kjo situatë rrezikojnë të mbesin pa mbështetje 3560 nxënës që do të përfitonin libra falas, mbi 700 studentë me bursa, rreth 100 të diplomuar për praktikë profesionale, si dhe qindra bujq, organizata dhe iniciativa në fushën e kulturës, sportit dhe të drejtave gjuhësore.

Ai gjithashtu akuzon se pas këtij vendimi qëndron ndikim politik nga institucionet shtetërore, duke e konsideruar këtë si goditje të drejtpërdrejtë ndaj zhvillimit, arsimit dhe identitetit të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Në fund të reagimit të tij, Rexhepi thekson se Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk do të tërhiqet nga kjo çështje dhe se do të vazhdojë angazhimin deri në zgjidhjen e saj, duke e cilësuar këtë si një betejë për të drejtat dhe të ardhmen e shqiptarëve në këtë rajon.