Ministria e Arsimit tërhiqet nga ideja për shkurtimin e orëve mësimore

Ministria e Arsimit në Serbi ka hequr dorë nga ideja për shkurtimin e orëve mësimore, një propozim që kishte nxitur debat gjatë muajve të fundit, raporton Spektri.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Arsimit, Dejan Vuk Stankoviq, i cili deklaroi se aktualisht nuk po shqyrtohet më mundësia që orët të reduktohen në 35 apo 30 minuta.

“Pati diskutime për këtë çështje, por sipas mendimit tim është marrë vendimi i duhur që të hiqet dorë, të paktën për një periudhë të afërt”, tha ai për mediat serbe.

Megjithatë, Ministria nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet e tërheqjes nga kjo ide, e cila fillimisht ishte propozuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të vitit të kaluar.

Vuçiç kishte sugjeruar që orët mësimore të shkurtohen për të rritur përqendrimin e nxënësve, duke argumentuar se pak fëmijë mund të mbajnë vëmendjen për 45 minuta të plota.

Ndërkohë, megjithëse ministri kishte paralajmëruar diskutime më të gjera dhe madje një konferencë rajonale për këtë temë, një gjë e tillë nuk është realizuar.

Në mars, vetë presidenti Vuçiq kritikoi qasjen ndaj reformave në arsim, duke theksuar se fokusimi vetëm te shkurtimi i orëve nuk përbën zgjidhje për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ky zhvillim tregon se, për momentin, sistemi arsimor në Serbi do të vazhdojë me formatin aktual të orëve mësimore prej 45 minutash./Spektri