Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se ndaj tij dhe institucionit që ai drejton është iniciuar procedurë kundërvajtjeje për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar gjatë një aktiviteti përkujtimor në nderim të Jonuz Musliut.
Sipas dokumentit zyrtar, i publikuar nga vetë Rexhepi, procedura është ngritur nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Bujanoc dhe i referohet shkeljes së Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë. Rasti lidhet me një ngjarje të mbajtur më 20 janar 2026 në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, ku gjatë një tubimi përkujtimor është vendosur flamuri shqiptar pa praninë e flamurit shtetëror serb.
Në reagimin e tij publik në Facebook, Rexhepi e cilësoi këtë veprim institucional si të padrejtë dhe të përsëritur:
“Flamuri ynë nuk është provokim, por është identitet dhe dinjitet. Përdorimi i tij në një aktivitet përkujtimor është i natyrshëm dhe legjitim.”
Ai theksoi se kjo është hera e tretë që personalisht përballet me procedura të tilla, ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptar është përballur deri tani 12 herë për çështje që lidhen me përdorimin e flamurit shqiptar.
Rexhepi u shpreh i vendosur se, pavarësisht procedurave, do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për përdorimin e simboleve kombëtare:
“Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të drejtën tonë për të përdorur simbolet kombëtare, me dashuri dhe vendosmëri.”
Rasti pritet të trajtohet në Gjykatën për Kundërvajtje në Vranjë, dega në Bujanoc, ndërsa kjo çështje rikthen sërish në fokus debatet për të drejtat e përdorimit të simboleve kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
