Qeveria ndan 50 mijë euro në mbështetje të familjes së policit, Afrim Bunjaku

Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së policit, Afrim Bunjaku që u vra gjatë kryerjes së detyrës në Banjskë të Zveçanit gjatë një sulmi nga një grup kriminal serb.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka marrë vendim për ndarjen e 50 mijë eurove si mbështetje për familjen e policit, Afrim Bunjaku që u vra gjatë kryerjes së detyrës në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit, në një sulm nga një grup kriminal serb.

Ndryshe, më 24 shtator, grupi që fillimisht sulmoi policinë e cila po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në Manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi sulmet ndaj policisë.

Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, policia bëri të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.

Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.

Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, se ka udhëhequr grupin prej 30 personash që sulmuan policinë. Për më tepër, këta zyrtarë kanë thënë se Radoiçiq ka marrë pjesë personalisht në sulm.