Në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, i cili po mbahet në Tiranë, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka përfaqësuar shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke adresuar një sërë çështjesh me rëndësi për rajonin, raporton Spektri.
Gjatë fjalës së tij, Rexhepi vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një forcë të fuqishme kombëtare, ekonomike dhe sociale, e cila vazhdon të mbetet një shtyllë e pazëvendësueshme për zhvillimin dhe avancimin e kombit.
Megjithatë, ai ngriti edhe shqetësimet konkrete me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak. Mes tyre përmendi procesin e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave, papunësinë e lartë si dhe mungesën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndër vite.
Mesazhi i tij ishte i qartë: nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm pa barazi dhe drejtësi.
Rexhepi theksoi se Lugina e Preshevës ka nevojë për më shumë vëmendje institucionale, mbështetje konkrete dhe veprime të drejtpërdrejta, ndërsa roli i diasporës mbetet kyç në këtë proces.
Samiti i Diasporës ka mbledhur në Tiranë përfaqësues nga e gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora, duke shërbyer si një platformë për diskutim, bashkëpunim dhe adresim të sfidave të përbashkëta.



