Serbia në rënie demografike: Më pak lindje gjatë vitit 2025

Republika e Serbisë vazhdon të përballet me rënie demografike, raporton Spektri.

Sipas të dhënave zyrtare të statistikave, gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 është shënuar rënie si e numrit të lindjeve, ashtu edhe e numrit të vdekjeve, krahasuar me vitin 2024.

Gjatë vitit 2025, në Serbi janë regjistruar gjithsej 58.445 lindje, ndërsa në vitin 2024 ky numër ishte 60.311. Kjo paraqet një rënie prej 1.866 lindjesh, ose 3,1% më pak krahasuar me vitin paraprak.

Në të njëjtën periudhë, numri i vdekjeve ka arritur në 94.831, krahasuar me 98.041 vdekje në vitin 2024, që nënkupton një ulje prej 3.210 vdekjesh, apo 3,3% më pak.

Edhe pse shënohet rënie e numrit të vdekjeve, bilanci natyror i popullsisë mbetet thellësisht negativ. Gjatë vitit 2025, në Serbi janë regjistruar 36.386 vdekje më shumë sesa lindje, duke konfirmuar vazhdimin e trendit të plakjes dhe tkurrjes së popullsisë.

Të dhënat mujore tregojnë se në asnjë muaj të vitit 2025 numri i lindjeve nuk e ka tejkaluar numrin e vdekjeve. Diferenca më e madhe është vërejtur gjatë muajve të dimrit dhe në fund të vitit, ku numri i të vdekurve ka kaluar shifrën 9.000 në muaj, ndërsa lindjet kanë mbetur kryesisht nën 5.500.

Sipas statistikave mujore për vitin 2025 numri më i lartë i lindjeve është regjistruar në korrik (5.575) dhe tetor (5.485), ndërsa numri më i ulët i lindjeve është shënuar në mars (4.323).

Numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në dhjetor (9.174) dhe janar (9.535), ndërsa më i ulët i vdekjeve është shënuar në prill (7.298)

Të dhënat e publikuara janë rezultate paraprake, të bazuara në muajin e regjistrimit të lindjeve dhe vdekjeve në librat amë për vitet 2024 dhe 2025.

Rënia e vazhdueshme e lindjeve, pavarësisht uljes së vdekjeve, mbetet një nga sfidat më serioze për Serbinë. Ekspertët paralajmërojnë se pa politika konkrete për mbështetjen e familjeve, të rinjve dhe zhvillimin ekonomik rajonal, bilanci negativ demografik do të vazhdojë të thellohet, veçanërisht në rajonet periferike dhe zonat me emigrim të lartë./Spektri