Shkarkohet trajneri i Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur t’i ndajë rrugët me selektorin e deritashëm, Alain Giresse.

Trajneri francez e pati sot një takim me krerët e futbollit kosovar në zyrat e FFK-së, ku edhe iu kumtua vendimi i ndarjes me të, ndërsa FFK-ja tha se ndarja ndodhi me vendim të përbashkët.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2). Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar”, shkruan në vendimin e Federatës.

Fatale për Giresse ishte humbja shokuese nga Bjellorusia, e pësuar mbrëmë në Hungari, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.