Shtrenjtohen pushimet e turistëve në bregdetin e Shqipërisë

Përveçse eksportin e mallrave, forcimi i euros dekurajon eksportet e shërbimeve, të tilla si turizmi dhe call center. Shqiptarët nga Kosova, që përbëjnë rreth 40% të ofertës turistike, po dekurajohen të pushojnë në Shqipëri.

Rënia e Euros në këmbim me Lekun i ka bërë edhe më të shtrenjta pushimet në Shqipëri.

Gjithashtu, përveç kursit të këmbimit, çmimet e paketave janë rritur rreth 15-20%. Në total, në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria është më e shtrenjtë prej 27-32%.

Po ashtu raportohet se do të ketë ulje më tej të turistëve nga Kosova për në Shqipëri, pasi pushuesit do të orientohen në tregje të tjera, siç është Turqia, Egjipti, Bulgaria, Greqia, etj.

Një euro këmbehet me rreth 112 lekë aktualisht, nga 121 në maj të vitit të kaluar. Një turist, me 100 euro sot merr 11,200 lekë, nga 12,100 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 900 lekë më pak.

Turistët nga Kosova nuk u rritën në 2022

Shifrat zyrtare nga Ministria e Turizmit tregojnë se nga janari në dhjetor 2022 Shqipërinë e vizituan 2.6 milionë shqiptarë të Kosovës.

Një vit më parë pra në 2021 shifra është pak a shumë në të njëjtin nivel por e parë në përqindje kemi një rënie me 0.04 për qind të turistëve nga Kosova.

Shqipëria përjetoi në vitin 2022 vitin më të mirë historik në turizëm ku numri i të huajve që shkelën në territorin e vendit ishte 7.5 milionë deri në dhjetor ndërkohë që nga këta sipas statistikave të turizmit 7.1 milionë janë mirëfilltazi turistë, raporton Monitor.