Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, tha se BE përdor standarde të dyfishta, kur është fjala për serbët e Kosovës si dhe shqiptarët në Luginë.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.
Sipas saj, kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. “Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?. Apo për mospërmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?, ka shkruar ajo.