Takim i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Itali kushtuar Luginës!

Me ftesë të Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), në Itali u mbajt Konferenca e fundvitit kushtuar Kosovës Lindore – dje, sot dhe sfidave të së ardhmes, e cila mblodhi përfaqësues të shoqatave shqiptare, aktivistë të diasporës dhe personalitete të angazhuara në çështjet kombëtare.

Në këtë takim mori pjesë edhe Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili foli për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve vendore dhe diasporës.

Gjatë konferencës u diskutua gjerësisht për sfidat politike, shoqërore, arsimore dhe ekonomike me të cilat përballen shqiptarët e Kosovës Lindore, si dhe për rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare në Itali mund të luajë në ndërkombëtarizimin e këtyre çështjeve. Pjesëmarrësit vlerësuan angazhimin e vazhdueshëm të shoqatave shqiptare në Itali në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në mbështetjen e komuniteteve shqiptare në trojet etnike.

Takimi u cilësua si një hap domethënës drejt forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve përfaqësuese shqiptare, duke konfirmuar se Lugina e Preshevës mbetet një temë e rëndësishme dhe e pandarë nga vëmendja e faktorit shqiptar kudo që ndodhet.