Të rinjtë nga Lugina pjesëmarrës në manifestimin e Ditës së Rinisë në Shqipëri

Më 8 dhjetor, në kuadër të manifestimit kombëtar të Ditës së Rinisë, një grup prej 10 të rinjsh nga Lugina e Preshevës do të marrë pjesë në aktivitetet dhe panelet e organizuara në Tiranë.

Kjo pjesëmarrje është mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Të rinjtë luginas, shumica prej të cilëve të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, do të kenë mundësinë të vizitojnë Piramidën e Tiranës, e shndërruar në një hapësirë moderne edukimi dhe zhvillimi digjital. Aty, ata do të njihet me praktika bashkëkohore të teknologjisë, duke u lidhur me mjedise krijuese dhe organizata rinore shqiptare.

Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga KKSh-ja, synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi mes të rinjve të Luginës dhe bashkëmoshatarëve të tyre në Shqipëri, duke ofruar platforma të reja për zhvillim profesional, shkëmbim përvojash dhe ndërtim rrjetesh në sektorin e teknologjisë—një fushë që po njeh rritje të shpejtë në vend.

Pjesëmarrja e të rinjve nga Lugina në këtë manifestim shënon jo vetëm një aktivitet simbolik, por një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e horizonteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në nivel rinor dhe profesional.