Të hënën, në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, u realizua shfaqja teatrore në kuadër të projektit “Teatri i Ndryshimit – Laboratori i Rinisë”, një iniciativë që trajton përmes artit sfidat reale me të cilat përballen të rinjtë e Luginës së Preshevës.
Projekti, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka në fokus emigrimin e të rinjve, mungesën e perspektivës dhe nevojën për hapësira kreative ku ata mund të shprehin shqetësimet dhe ëndrrat e tyre. Përmes metodës së Teatrit Laborator, pjesëmarrësit u angazhuan në punëtori dhe procese artistike interaktive që kulmuan me shfaqjen publike.
Shfaqja solli emocione të forta dhe reflektim tek publiku, duke hapur debat mbi rolin e të rinjve në komunitet dhe rëndësinë e qëndrimit në vendlindje. Projekti synon të shërbejë si model i edukimit joformal dhe angazhimit qytetar, duke dëshmuar se arti mund të jetë mjet i fuqishëm për trajtimin e problemeve sociale.
Luajtën: Alba Sinani, Albin Nexhibi, Ardita Murati, Berina Demiri, Blend Limani, Eljesa Idrizi, Leonita Limani, Suanda Sylejmani, Veli Bezati.
