Tensionet në veri, Rama: Fuqia e ushtrisë serbe në kufi të Kosovës është zero

Gjersa po merr pjesë në forumin “GLOBSEC 2023” që po mbahet në Bratisllavë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë lidhur me situatat e krijuara në veri të Kosovës se gjithçka po bëhet vetëm për politikë të brendshme nga ana e Serbisë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se fuqia e ushtrisë serbe në kufi të Republikës së Kosovës është zero.

Këtë Rama e tha në forumin “GLOBSEC 2023” që po mbahet në Bratislavë, forum ky në të cilin po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Ai theksoi se gjithçka bëhet vetëm për politikë të brendshme nga ana e Serbisë.

“Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme, sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufirin me SHBA. Çfarë mund të bëjë? Asgjë! Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë në lidhje me politikën e brendshme, dhe atë se çfarë ndodh në kufirin me Kosovën”, u shpreh ai, transmeton EURONEWS.

Sipas Ramës, Kosova dhe Serbia hezitojnë drejt një marrëveshjeje historike, ngase të njëjtat janë mësuar duke qenë palë armiqësore.

Nga e premtja, serbët lokalë protestuan kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Rreth 25 ushtarë kanë pësuar lëndime nga situatat e shkaktuara në veri. Ndërkaq, vetura të ekipeve të gazetarëve nga të gjitha mediat në vend, përfshirë edhe RTV Dukagjini, janë vandalizuar.