TikTok përfundon shërbimin e blerjeve në internet në Indonezi

Nga TikTok-u thanë të mërkurën se po mbyllnin shërbimin e këtij aplikacioni të blerjeve në internet në Indonezi për shkak të rregullave të reja të vendosura nga vendi për të mbrojtur bizneset lokale.

“Prioriteti ynë është të qëndrojmë në përputhje me ligjet dhe rregulloret lokale”, thanë nga TikTok-u në një deklaratë. “Si i tillë, ne nuk do të lehtësojmë më transaksionet e tregtisë elektronike në TikTok Shop Indonesia… dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse në rrugën përpara”.

Javën e kaluar, ministri indonezian i tregtisë, Zulkifi Hasan, njoftoi se vendi do të zbatonte një rregullore të re që lejon që mediat sociale të përdoren vetëm për të “lehtësuar promovimin, jo për transaksione”.

TikTok ka 113 milionë përdorues në Indonezi, duke e bërë vendin tregun e dytë më të madh pas Shteteve të Bashkuara me 116.5 milionë.

CEO i TikTok-ut, Shou Zi Chew, vizitoi vendin gjatë verës, ndërsa u zotua të investojë miliarda dollarë në rajon në vitet e ardhshme.

Banka qendrore e Indonezisë vlerësoi se vlera e shitjeve të tregtisë elektronike do të rritet në 44 miliardë dollarë deri në vitin 2024, gjashtë herë më shumë se në vitin 2018.

Hasan tha se rregullorja do të parandalonte gjithashtu kompanitë e mediave sociale që të veprojnë si platforma të tregtisë elektronike për të “parandaluar keqpërdorimin e të dhënave publike” dhe se do të rregullonte shitjen e mallrave jashtë shtetit.