Tri arsyet se pse së pari duhet të formohet Qeveria e pastaj të bëhet votimi për presidentin

Qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kanë nisur debatet e dilemat nëse pas konstituimit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, së pari duhet të krijohet Qeveria, apo duhet votuar për zgjedhjen e presidentit.

Është fakt se Kushtetuta e Kosovës nuk ka qartësi lidhur me procedurën që duhet ndjekur në rastet e tilla, por, megjithatë, ekzistojnë tri arsye se përse së pari duhet të formohet Qeveria e më pas të bëhet votimi për presidentin.

E para: Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë organizuar për shkakun se vendi është pa president të zgjedhur, por për shkak të rënies së Qeverisë si rrjedhojë e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u tha se zgjedhja e Ekzekutivit të udhëhequr nga Avdullah Hoti është bërë në mënyrë jokushtetuese. Mbi bazën e këtij aktgjykimi, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, më 6 janar nxori dekretin për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë dhe e shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Votuesit iu drejtuan kutive të votimit, thjesht për t’i zgjedhur përfaqësuesit e një Kuvendi të ri – përkatësisht drejtuesit e një Qeverie të re. Pas përfundimit të këtij procesi, nuk ka sens të pretendohet që zgjedhja e presidentit të futet në procedurë, fill pas konstituimit të Legjislaturës së tetë, duke i paraprirë kështu procesit të votimit të Qeverisë së re. Partitë parlamentare e kanë për obligim që ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve, duke e përmbyllur fillimisht procesin e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së re, e më pas që t’i ndërmarrin hapat tjerë në përputhje me përgjegjësitë që i kanë.

E dyta: Zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet pasi të jenë plotësuar disa parakushte në Kuvendin e ri të Kosovës. Një prej kushteve është krijimi i Komisioneve Parlamentare e që, për rastin konkret, duhet që Komisioni për Legjislacion të jetë funksional. Përgjegjësia e këtij Komisioni është që të verifikojë nëse kandidatët për president (meqë duhet të jenë së paku dy kandidatë që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të deputetëve), i plotësojnë kriteret për të qenë kryetar shteti. Kur është emëruar Atifete Jahjaga si presidente, ishte nënkomisioni për mandate dhe imunitete ai që e bëri verifikimin e kritereve, ndërsa në rastin e Hashim Thaçit këtë punë e ka kryer Komisioni për Legjislacion. Çështja është se komisionet parlamentare nuk mund të krijohen pa u zgjedhur Qeveria e vendit. Së pari duhet të dihen ministritë e pastaj të caktohen Komisionet Parlamentare si mbikëqyrëse të sektorëve përkatës.

E treta: Nëse anashkalohen dy arsyet e para dhe nëse zgjedhja e presidentit futet në procedurë para formimit të qeverisë së re, atëherë Kosova futet në një proces të komplikuar – si asnjëherë më parë. Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është kjo: Çka nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, brenda 45 ditësh? A mund të mbetet në detyrë Qeveria Hoti, e votuar nga legjislatura e shkuar dhe e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e të dhunohet vullneti i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt? Përgjigjja duhet të jetë: Jo! Prandaj, krijimi i institucioneve të reja duhet shkuar sipas kësaj renditjeje: Kuvendi-Qeveria-Presidenti. Ushtruesja e detyrës së presidentit qysh tash mund t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së re, kandidatit që partia fituese e nominon zyrtarisht për kryeministër. Ajo nuk ka pasë asnjë pengesë që t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit, fill pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, por nuk e ka bërë këtë. Procedurat nuk janë të komplikuara. “Interpretimet juridike”, sipas interesave politike, janë ato që i bëjnë gjërat më të vështira. /Burimi: AktivPress/